Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt të kryesuar nga Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi.
Gjatë kësaj mbledhje, fillimisht është miratuar rendi i ditës dhe më pas është diskutuar për gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës.
Lidhur me pikën “Raporti i Policisë së Kosovës për gjendjen e sigurisë në Komunë”, ka raportuar Komandanti i Policisë për Komunën e Podujevës, Bashkim Bajrami. Ai tha se gjendja për periudhën janar-qershor 2024 ka qenë stabile dhe e menaxhueshme. Bajrami ka theksuar se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 janë mbajtur aktivitete të ndryshme me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve për çështjet që kanë të bëjnë me interes të përgjithshëm. Gjatë kësaj periudhe, sipas Komandantit të Policisë në Podujevë, janë regjistruar 564 raste.
Përfaqësuesi i KFOR-it dhe përfaqësuesi i FSK-së gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile.
Ndërkohë, për intervenimet dhe gatishmërinë në rastet kundër zjarreve dhe intervenimet tjera raportoi Komandanti i Shërbimit të Zjarrfiskëve dhe Shpëtimit (SHZSH), Milaim Ajvazi. Ai tha se në periudhën kohore janar-qershor të këtij viti kanë intervenuar në 317 raste të shuarjes së zjarreve. Nga to, 22 rate kanë qenë zjarre në objekte ndërtimore, 97 raste djegie të pyjeve e pishave, 98 raste djegie të hamulloreve, fushave dhe kullotave, 25 raste djegie të mbeturina, aksidente të komunikacionit rrugor, intervenime teknike dhe shërbime të ndryshme, si dhe 1 rast të vërshimeve.
Për këtë pikë diskutuan anëtarët e KKSB-së ku dhanë sugjerimet për parandalim të këtyre dukurive.
Komandanti i Policisë për Komunën e Podujevës, Bashkim Bajrami, raportoi edhe për sigurinë në komunikacion, ku në periudhën janar-qershor tha se kanë ndodhur 24 aksidente me lëndime, 153 aksidente me dëme material, si dhe janë shqiptuar 5052 tiketa në trafik.
Ndërkaq, informatën në lidhje me qentë endacakë e paraqiti Drejtori Bahri Selimi, ku tha se Komuna e Podujevës e ka kontraktuar një kompani për trajtimin e qenve endacakë, ku deri më tash ky trajtim ka qenë i kujdsshëm dhe i specializuar, duke treguar nivel të lartë të aftësive dhe kujdesit ndaj këtyre kafshëve.
17.07.2024, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim